
Kur na ndajnë edhe tri ditë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, kreu demokrat Lulzim Basha u ka bërë thirrje shqiptarëve që të dalin dhe të votojnë masivisht për të ardhmen e familjes dhe Shqipërisë. Nga Lushnja, ku zhvilloi fushatën e radhës elektorale, kreu i selisë blu tha se të dielën Shqipëria fiton dhe Rama do të humbë, pasi nuk ka asgjë që mund të ndalë vullnetin e popullit.
“Asgjë nuk do na ndalë të dalim masivisht dhe të votojmë. Këto janë zgjedhjet më vendimtare sepse vendosin fatin e familjes suaj. Nuk e ndalën dot Besëlidhjen e Lushnjës dhe Kongresin e Lushnjës dhe nuk ka asgjë që të ndalë vullnetin e lushnjarëve për të dalë masivisht në zgjedhje me pjesëmarrjen më masive popullore, ku do të vendoset fati i familjeve tuaja e vendit tonë. Njësoj si 101 vite më parë forcat që duan ta mbajnë larg BE për pasurimin e tyre dhe përballë këtij grushti njerëzish dhe të dielën Rama humb dhe Shqipëria fiton, populli i zhgënjyer, ni dëshpëruar dhe i lodhur por i vendosur si kurrë më parë për të marrë në dorë fatet e tij. Le të rrëfehet 25 prilli si dita e fundit e tranzicionit dhe dita e parë e Shqipërisë si gjithë Europa. Ndryshimi i pandalshëm po vjen në çdo shtëpi”.
Ai u bëri thirrje të rinjve lushnjarë që të shpalosin në vendin e tyre talentin dhe kërkoi votën e tyre për zhvillimin.
“Ju do të keni subvencione dhe tregun sepse ne jemi të vendosur. Më 25 prill fermerët shqiptarë të votojnë. Lushnja i ka të gjitha potencialet, mund dhe do të sigurojë ushqim, zhvillim, punësim dije. Unë kam besim te rinia e Lushnjës dhe gjithë shqiptarisë. Ejani dhe shpalosni talentin tuaj këtu”. (A2 Televizion)