
Senati amerikan aprovoi rregullat bazë për procesin gjyqësor për shkarkimin e presidentit amerikan Donald Trump, pas 13 orësh debate të ashpra. Demokratët u përplasën më avokatët mbrojtës, mbi atë që sipas kushtetutës do të ishte një gjyq i drejtë ndërsa republikanët bllokuan përpjekjen e rivalëve për paraqitjen e provave të reja.
Në nisje të seancës, Adam Schiff, ligjvënësi i Dhomës së Përfaqësuesve që drejton procesin e impeachment, tha se shumica e amerikanëve nuk beson se ky do të jetë një gjyq i drejtë.
“Shumë njerëz, madje pjesa me e madhe e amerikanëve nuk besojnë se ky do të jetë një gjyq i drejtë. Ata nuk besojnë se Senati do të jetë i paanshëm, mendojnë se rezultati është i paracaktuar”, deklaroi Schiff.
Senatorët u betuan se do të sillen si juristë të pavarur në procesin e drejtuar nga kryetari i Gjykatës së Lartë, John Roberts. Sipas rregullave të aprovuara, argumentet fillestare do të parashtrohen gjatë së mërkurës, me secilën palë që do të ketë në dispozicion 24 orë përgjatë 3 ditëve të ardhshme.
Por lidhur me çështjen e rëndësishme të dëshmitarëve nuk është vendosur ende. Demokratët kërkojnë të thërrasin bashkëpunëtorë kyçë në Shtëpinë e Bardhë, të cilët kanë punuar me Donald Trump, përfshirë shefin në detyrë të kabinetit Mick Mulvaney dhe ish këshilltarin e sigurisë kombëtare John Bolton.
Me 53 vota pro dhe 47 kundër, të ndara sipas linjave partiake, senati refuzoi tre përpjekje të demokratëve për të paraqitur dokumente ose prova të reja gjatë gjyqit. Senatorët bllokuan një mocion të liderit të pakicës në senat, Chuck Schummer, që kërkonte dorëzimin e dokumenteve nga Shtëpia e Bardhë lidhur me çështjen e Ukrainës. U refuzua gjithashtu kërkesa për të dhëna dhe dokumente nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe zyra e buxhetit në Shtëpinë e Bardhë.
Donald Trump akuzohet për abuzim me pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit, por Senati kontrollohet nga republikanët dhe nuk pritet që presidenti të shpallet fajtor. (A2 Televizion)