
Sot në orën 16:00 pritet të mbahet protesta e thirrur nga Sali Berisha, kundër mbërritjes në Tirane të Aleksandër Vuçiç, presidentit të Serbisë, i ftuar i kryeministrit Rama, në kuadër të samitit tre vendesh Open Balkan. Teksa PD vijon të jetë e ndarë në dy kampe. Lulzim Basha nuk do t’ i bashkohet kësaj proteste edhe pse ndan të njëjtin qëndrim si Sali Berisha për Ballkanin e Hapur.
Në hapësirën e tij të komenteve në Facebook, ish-kryeministri ka renditur edhe 4 arsyet pse duhet të protestojnë, ndërsa fton qytetarët të jenë të pranishëm në këtë protestë. Ai thotë se Ballkani i Hapur është projekt i Serbisë së Madhe dhe akuzon kryeministrin Rama se po bëhet pjesë e këtyre agjendave prandaj duhet të ndalohet.
“1. Vuçiç është ministër i Milloshevicit. Ai akoma nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj shqiptarëve nga Serbia dhe vazhdon të ndjekë politikën e shefit të tij!
2. Ballkani i Hapur është projekt që e rrit dhe forcon Serbinë dhe planet e Serbisë së Madhe andaj nuk duhet lejuar asesi që të konkretizohet!
3. Edi Rama po bëhet pjesë e këtyre agjendave dhe është bërë një kukull e Vuçiçit, andaj duhet ta ndalim para se të bëhet vonë.
4. Kosova ka akoma plagë të hapura për të cilat Vuçiç është nga përgjegjësit kryesorë. Përveç kësaj, ai edhe mohon krimet, masakrat dhe gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës në luftë, andaj nuk është i denjë që të pritet në Tiranë e aq më pak që të bashkëpunohet me të”. (A2 Televizion)