
Ish-Presidenti Bujar Nishani, me anë të një postimi në Facebook, vuri në dukje se Partia Demokratike po hesht ndaj një tjetër skandali të asaj që e quajti “qeveria e skandaleve”.
“Një skandal tjetër i qeverisë së skandaleve! Baza e skandalit, hajnia dhe mashtrimi! Një gazetare e pakapur denoncoi Edi Ramën se përdorte prej muajsh një makinë ultra luksoze që, sipas medias, kushtonte 500 mijë euro. Vetëm pas denoncimit të medias, qeveria tentoi të justifikohet se makinën e ka marrë Partia Socialiste me qera!!!! Ky është një skandal (i radhës kuptohet) që ngado ta kapësh të bën pis! Por, selia e Partisë Demokratike pse hesht?
Ka frikë? Nuk e quan të rëndësishme? Nuk ka dëgjuar e parë gjë? Apo? Gjithsesi, opozitarizmi, denoncimi i aferave qeveritare, përballja me të keqen nuk është më as monopol e as peng i Kryetarit Peng në selinë e PD”, lexohet në postimin e Nishanit.
Sipas tij, “kryeministri i vendit nuk mundet të marrë e as të përdorë makina nga Partia Socialiste”.
“Në zyrën e qeverisë e në aktivitetin qeveritar Edi Rama është kryeministri edhe i shqiptarëve kundërshtarë politik të Partisë Socialiste. Në punët si kryetar i saj, ai mund të përdorë çdo gjë të PS. Zyra, makina, njerëz, të partisë. Jo në Qeveri e jo në qeverisje!
Meqenëse PS e mori përsipër ta mbulojë skandalin e Edi Ramës, duhej që t’u tregonte shqiptarëve se sa kushton qeraja e paguar, të bënte publike kontratën e nënshkruar, të nxirrte transaksionin e thesarit të shtetit për pagesën e realizuar, të sqaronte burimin e parave që partia ka shfrytëzuar etj. Por, natyrisht që këto nuk i bën dot, pasi thjesht mashtrojnë, gënjejnë, manipulojnë”, shton Nishani. (A2 Televizion)