
Pranoi mandatin e lënë nga deputetet e Partisë Demokratike, votoi pothuajse të gjitha ligjet e mazhorancës, por Selami Jenisheri e sheh ende veten pjesë të koalicionit me PD-në.
Në këto kohë negociatash, kreu i partisë që përfaqëson pensionistët erdhi të negociojë me Lulzim Bashën si aleat.
Deputeti synon përfshirjen në listën e PD-së, ashtu si në vitin 2017, ndaj u shfaq në kafenenë pranë Selisë Blu, këtë të premte, me shpresën për të takuar drejtuesin e PD-së apo grupin negociator të përcaktuar prej tij.
“Nuk kam ikur nga koalicioni, as nuk më ka thënë njeri që nuk jam pjesë e koalicionit. Nëse socialistët e çojnë jetën përpara me një ligj, unë e votoj. Ndoshta jam gabim, por unë jam në Parlament për t’iu përgjigjur 650 mijë pensionistëve që janë kontigjent i partisë sonë. Ideja ime në këto zgjedhje është që në listat e partisë sime të jenë vetëm doktor profesorë”, u shpreh Jenisheri. (A2 Televizion)