Operacion për shkatërrimin e “Las Vegasit” të paligjshëm në Kosovë, 35 të arrestuar

Nga A2 CNN
19 Shtator 2020, 15:50 | Kosova

35 persona, mes tyre 12 efektivë të Policisë, janë arrestuar në Kosovë pasi dyshohet se janë të përfshirë në veprimtari të paligjshme në fushën e lojërave të fatit, trafikim të qenieve njerëzore, armëve, narkotikëve, kontrabandë mallrash dhe aktivitete të tjera kriminale.

Gjatë operacionit të nisur mbrëmë në mesnatë në fshatin Karaçevë të komunës Kamenicë, janë bllokuar më shumë se 12  ambiente që përdoreshin për organizimin e lojërave të fatit, si dhe janë sekuestruar materiale shtesë, që shërbejnë si prova për dokumentimin e aktivitetit kriminal, tha Policia e Kosovës.

Të shtunën, kryeprokurori i Gjilanit, Jetish Maloku, sqaroi se operacioni kishte nisur pas një hetimi 1-vjeçar. Ai shtoi se operacioni do të vazhdojë pasi do të shtrihet edhe në zona të tjera të Kosovës.

Një ditë më parë, ministri i Brendshëm i Kosovës, Agim Veliu, akuzoi ish-kryeministrin Kurti duke thënë se në kohën e qeverisjes së tij këto kazino kanë funksionuar pa pengesë dhe se ishte Kurti që nuk jepte leje për zhvillimin e operacionit policor.

Por në një reagim gjatë të shtunës, Kurti, pasi përgëzoi Policinë për suksesin, tha: “Nëse ky i mbrëmshmi ka qenë krim i madh dhe i organizuar, atëherë më duhet të them se e kanë kapur vetëm nga bishti, koka e këtij krimi është diku tjetër, mbase diku në Prishtinë. Kriminelët e mëdhenj janë fatkeqësisht në kryeqytet”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos