
Ditmir Bushati, ish-ministër i Jashtëm, në një lidhje direkte me “Dita jonë” në A2, foli për marrëdhënien Shqipëri-Kosovë, që, sipas tij, është e veçantë, “pasi bëhet fjalë për dy vende që janë pjesë e një kombi dhe që për arsye historike nuk janë bashkë”.
Por, sipas tij, kemi nevojë për një analizë me vështrim nga e ardhmja: “Vitet e fundit ka pasur debate që janë majisur nga një sërë çështjesh që kanë mbytur hapësirën mediatike. Besoj se kemi nevojë për një analizë të kthjellët, me vështrim nga e ardhmja, për rolin e shqiptarëve në shekullin XXI. Vë re me keqardhje, edhe nga debatet e ditëve të fundit, që ose ka interpretime partizane, ku etikohen njerëzit si tradhtarë apo ka një lumë akuzash përbuzëse ndaj shumë politikanëve dhe iniciativave që janë hedhur në tregun e ideve”.
Bushati shtoi se “nuk mund të lëmë disa ide që t’i imponohen agjendës publike, duke na larguar nga objektivat tanë strategjikë”.
“Vitet e fundit kemi debatin e korrigjimit të kufijve të Kosovës, për Gjykatën Speciale në Kosovë, për Serbinë, ndërkohë që lufta ka vite që ka mbaruar. Plagët e luftës duhet të adresohen, por nga ana tjetër duhet të kemi kurajon për t’u ballafaquar me Serbinë dhe për të ndërtuar një marrëdhënie partneriteti në kushtet e shekullit XXI”, shtoi Bushati. (A2 Televizion)