“Nuk ka virus të ri, janë variacione gjenetike”, Aurora Dollenberg: Vaksinat, funksionale për të gjitha nënllojet e Covid-19

Nga A2 CNN
22 Dhjetor 2020, 08:42 | Aktualitet
“Nuk ka virus të ri, janë variacione gjenetike”, Aurora

“Nuk ka virus të ri, janë variacione gjenetike. Vaksinat janë funksionale për të gjitha nënllojet”. Kështu është shprehur në studion e "Dita Jonë" mjekja Aurora Dollenberg, në një lidhje direkte nga Gjermania. Sipas saj, mutacioni i virusit, i shfaqur në Angli, është pjesë e evolucionit gjenetik të pandemisë.

“Është pjesë e evolucionit gjenetik të një pandemie që i njëjti virus të ketë ndryshime të vogla brenda të njëjtin lloj. Mutacioni është pjesë e natyrshme e një infeksioni pandemik, është variant i të njëjtit lloj. Duke qenë se çdo popull ka bankën e vet gjenetike, çdo popull reagon në mënyra të ndryshme ndaj infeksionit. Strategjitë janë një aspekt për ta kontrolluar, por edhe ndjeshmëria gjenetike është e pavarur. Shumë individë kanë ndërvepruar me këtë gjen dhe ky virus shfaqi një variant tjetër të tij. E njëjta vaksinë po jepet edhe për këtë variant të ri të Covid-it. Për biologët është një evolucion i koronavirusit”, theksoi mjekja.

E pyetur për situatën nga pandemia në Gjermani, ajo tha se vendimi për t’u mbyllur është për të mbrojtur rezervat spitalore.

“Prej javësh kemi pasur numër stabël të të infektuarve, edhe pse në total kemi rritje të infeksioneve të reja krahasuar me vjeshtën. Numri i vdekjeve spitalore ka qenë më i rritur. Ky vendim i Gjermanisë për ta mbyllur është profilaktik, se nuk duhet të kalojmë te rezervat spitalore që kemi.

Është e ndaluar që më shumë se një familje të festojnë së bashku dhe revolta e popullatës ndaj këtyre masave ka qenë e vogël”.

Mjekja Dollenberg konfirmoi se nga 1 janari do të nisë edhe fushata e vaksinimit në Gjermani, për 30% të popullatës, ku përparësi do të kenë më të rrezikuarit nga Covid-19.

“Që prej 1 janarit 2021 do të nisë vaksinimi masiv në Gjermani. Gjermania disponon 30 mln doza dhe mund të arrijmë të vaksinojmë 30% të popullatës. Qëllimi është që të vaksinohen ata pacientë që kanë nevojë urgjente për mbrojtje. Ky është plani që të fillojmë që nga 1 janari”.

Ajo apeloi qytetarët që më mirë të sakrifikojnë festat, pasi është  mënyra më e shëndetshme për të treguar dashurinë tonë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos