
Ndeshja e raundit të parë të Mastersit të Montekarlos, mes Pablo Carreno dhe Stefano Travaglia, la pas një skenë të çuditshme.
Tenisti spanjoll dhe ai italian patën një debat të ashpër në setin e dytë, që u mbyll vetëm pas ndërhyrjes së arbitrit. Gjithçka nisi nga reagimi i trajnerit të Carrenos, i cili duartrokiti në mes të një pike, gjë që acaroi italianin Travaglia. Ai iu ankua kundërshtarit, duke i thënë se trajneri i tij po tregonte mungesë respekti. Carreno u përgjigj duke i thënë se edhe stafi i Travaglia, ku ndodhej edhe e fejuara e italianit, po bënte të njëjtën gjë.
Kjo përgjigje e tërboi italianin, i cili ngriti zërin dhe iu afrua kundërshtarit me këto fjalë: “Nuk ke punë me të fejuarën time, kujdes me fjalët. Mos e fut në këtë muhabet, ajo nuk po thotë gjë fare. Thotë “bravo” kur fitoj pikë, kaq. Mos e përmend fare”.
Carreno nuk u tremb dhe ia ktheu aty për aty: “E përmend sepse është aty, bashkë me të tjerët”.
Në këtë moment, ndërhyri arbitri, për të shuar diskutimin. (A2 Televizion)