
Tenisti Benoit Paire po shkakton shumë polemika me deklaratat e tij gjatë këtij viti, që nga ana sportive ka qenë shumë i dobët për të.
Francezi u eliminua që në raundin e parë të Mastersit të Montekarlos dhe pas ndeshjes nuk u shpreh i shqetësuar për humbjen, por u mburr me paratë që fiton thjesht duke marrë pjesë në turne.
“Nuk më intereson fare ndeshja, nuk më intereson a humba, a fitova. Kam edhe një ndeshje dyshe për të luajtur më vonë dhe më pas do të kthehem në shtëpi, dy orë udhëtim me makinë. Mërzitem kur luaj në “varreza”. Turneu i Montekarlos është nga më të bukurit në botë, por kur vjen këtu dhe sheh që nuk ka njeri, trishtohesh. Por, të paktën mora 12 000 euro! Fitova 12 000 euro duke qëndruar rehat në hotel dhe duke luajtur disa orë tenis. Perfekt”, tha Paire.
“Njerëzit mund të thonë se ky është normaliteti tani, por për mua nuk është normale. Vetëm në shtëpi jam i lumtur, pasi aty nuk ka nevojë të vendos maskë”, shtoi francezi.
Këtë vit, Benoit Paire ka marrë pjesë në shumë turne tenisi, ku në të gjitha është elimininuar që në raundin e parë dhe në konferencat për shtyp ka thënë se paguhet edhe kur humb përballjet. (A2 Televizion)