Nuset dhe shtetrrethimi/ Kur do të kemi dasmë?

Nga A2 CNN
24 Prill 2020, 21:08 | Sociale
Nuset dhe shtetrrethimi/ Kur do të kemi dasmë?

Vitin e kaluar, në të gjithë Shqipërinë u celebruan ligjërisht mbi 32 000 çifte. Mbi 6 000, vetëm në Tiranë. Por, që prej marsit, ky shërbim nuk ofrohet më pranë zyrave të Gjendjes Civile për shkak të koronavirusit dhe rrezikut të infektimit. Duke lënë në pritje pa afat shumë të rinj që dëshirojnë të zyrtarizojnë angazhimin e tyre në një familje të re.

Deri në 10 mars të vitit 2020, janë martuar ligjërisht 1919 çifte. Por, një martesë ligjore kërkon angazhimin e shumë personave sipas drejtorit të Gjendjes Civile, Bledar Doracaj.

Me afrimin e verës, rritet dhe numri i dasmave. Edhe ato fetare janë anuluar pa afat.

Mesatarisht, në një vit, shqiptarët harxhojnë për ceremonitë martesore 165 milionë euro. Kjo është një shifër e llogaritur nga Armand Peza i Geraldina Sposa, të cilit për shkak të koronavirusit i janë anuluar rreth 25% e ceremonive që duhej të organizonte.  

Por, ka edhe nga ata që nuk heqin dorë. Peza përmend rastin e një çifti i cili pavarësisht shtetrrethimit, do të kremtojë martesën në 6 qershor: “Do të shkëmbejnë unazat pa punonjës bashkiakë. Nuk duan të anulojnë datën”.

Gresa Gjocera këndon dhe në dasma. Ky duhej të ishte një sezon i ngjeshur për të: “Presim të anulohen shumë dasma të tjera”.

Me kalimin e gjendjes së emergjencës merr fund dhe kjo ndalesë për çiftet për të kremtuar dashurinë e tyre, e cila urojmë t’i ketë shpëtuar karantinës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos