Oferta e qeverisë për pedagogët, Alimehmeti: Jemi mbrapa rajonit, do të marrim vetëm largim të vazhdueshëm të rinisë

Nga A2 CNN
5 Tetor 2022, 14:06 | Aktualitet
Oferta e qeverisë për pedagogët, Alimehmeti: Jemi mbrapa rajonit,

Pas protestës së pedagogëve, këtë të mërkurë, kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi, njoftuan se qeveria ka marrë vendim për rritjen e pagës së tyre, sipas një skeme ku parashikohet që nga 15% që është vendosur rritja, 7% të financohet nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër nga buxheti i vetë universiteteve.

Mjeku dhe pedagogu, Ilir Alimehmeti, tha se grupi drejtues i sindikatës do të vlerësojë propozimin, për të vendosur nëse do ta pranojë atë, apo do të përshkallëzojë protestën deri në bojkot të nisjes së vitit të ri akademik më 17 tetor. “Kryesia do të dalë me një vendim. Protesta nuk është vetëm e pedagogëve. Sindikata mbulon edhe punonjësit administrativë, nga sanitarja te drejtori”, tha Alimehmeti në studion e Ditarit në A2 CNN.

https://a2news.com/2022/10/05/qeveria-rrit-me-15-pagat-e-pedagogeve-kushi-7-do-i-mbeshtese-buxheti-pjesen-tjeter-universitetet/

Ai shtoi se të gjitha palët duhet të kenë në mendje interesin e studentëve. “Pamë 11 mijë aplikime për studime jashtë. Pra 1 ndër 3 shqiptarë zgjedh të shkojë jashtë. Kjo do të thotë që ne kemi punë për të bërë këtu. Për sa kohë ne nuk investojmë aty ku duhet, aq më pak do të pretendojmë. Duhet të dalim nga koncepti “kaq për qind”, duhet të dalim në konceptin se jemi mbrapa rajonit dhe si do të dalim nga kjo. Pedagogët janë një hallkë që shërben për një produkt dhe produkti janë studentët. Sytë duhet t’i mbajmë tek objektivi”, tha Alimehmeti.

“Po nuk bëmë për të rinjtë tanë, në të gjitha metodat, nuk do të presim dot zhvillim për shoqërinë tonë. Ne do presim këtë që po shohim, largim të vazhdueshëm të të rinjve që ka filluar tashmë që në moshën 18 vjeç. Duhet të ulemi konkretisht, seriozisht, të gjejmë metoda sesi ta ndalim këtë, jashtë interesave të përveçëm, në një interes të përbashkët, puro, nacionalist, shqiptar”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos