Qeveria rrit me 15% pagat e pedagogëve, Kushi: 7% do i mbështesë buxheti, pjesën tjetër universitetet

Nga A2 CNN
5 Tetor 2022, 12:54 | Aktualitet
Qeveria rrit me 15% pagat e pedagogëve, Kushi: 7% do i mbështesë

Në mbledhjen e fundit të qeverisë, është vendosur rritja me 15% e pagave për pedagogët e universiteteve, të cilët prej disa ditësh kanë nisur një protestë pikërisht për rritjen pagave.

Sipas ministres Kushi, qeveria vendosi që të paguajë nga buxheti rritjen prej 7% të këtyre pagave, ndërkohë që pjesën tjetër duhet ta akordojnë vetë universitetet.

“Morëm një vendim që lidhet me pagat e pedagogëve.  Një vendim që po punojmë prej disa kohësh me universitetet dhe të gjitha stafet akademike. Sot vendos që pagat e pedagogëve të rriten deri në 15%, ku 7 për qind do të mbulohet nga buxheti i shteti dhe pjesën tjetër vetë universitetet me të ardhurat e tyre. Ky vendim nxit edhe rritjen e performancës nga vetë universitetet. Mbështetja e qeverisë për universitetet dhe pedagogët nuk është vetëm te pagat”, tha Kushi.

Pasi nuk arritën të gjenin dakordësinë me qeverinë për kërkesat e tyre, pedagogët e universiteteve organizuan, këtë të mërkurë, një protestë në shkallët e Universitetit Politeknik të Tiranës. Disa dhjetëra pedagogë nga Tirana dhe qytete të tjera, kërkuan rritje page dhe kushte më të mira për arsimin e lartë. Kreu i Sindikatës së Punonjësve të Arsimit, Sandër Kovaçi, deklaroi disa ditë më parë që, nëse as këtë herë nuk do të merren parasysh kërkesat, ata do të bojkotojnë vitin e ri akademik.

I pranishëm në universitetin Bujqësor të Tiranës për prezantimin e Skemës Kombëtare për të ardhmen e prodhimit vendas, kryeministri Edi Rama i parapriu vendimit të qeverisë. Por shtoi:  “Atyre që dalin në rrugë dhe që kërkojnë rritje pagash, ju them se nuk jeni mësues gjimnazi ose 9-vjeçareje, as mjekë, as infermierë në shërbimin publik, as punonjës policie, as ushtarakë, as nëpunës civilë, dhe as pensionistë”, iu referua ai pedagogëve në protestë. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/10/05/ne-mbledhjen-e-ardhshme-rrisim-rrogat-e-pedagogeve-rama-por-nuk-mund-te-marrin-te-gjithe-njesoj/
https://a2news.com/2022/10/05/protestojne-pedagoget-kerkojne-rritje-page-dhe-kushte-me-te-mira-pune/

A2 CNN Livestream

Latest Videos