
Operacioni Forca e Ligjit i ka nisur këtë të mërkurë kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë 4 personave.
Bëhet fjalë për Endrit Zelën, banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale "Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie" e kryer në bashkëpunim; Genc Ferhatin, banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale "Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie"; Igli Memajn, banues në Vlorë, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprën penale "Vrasja në rrethana cilësuese" dhe Nelson Hykën, banues në Shkodër, për të cilin ish-Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.
Zela është pjesë e të pandehurve në gjyqin e Emiliano Shullazit, që aktualisht është në Apel. Në shkallën e parë, ai është dënuar me 10 vite burg.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)