Tiranë, sekuestro aseteve me vlerë 2,1 milionë euro të kosovarit dhe polakut

Nga A2 CNN
10 Qershor 2020, 08:45 | Kronikë
Tiranë, sekuestro aseteve me vlerë 2,1 milionë euro të

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin "Asetet” pas një viti hetimesh dhe ka vendosur sekuestro preventive ndaj pasurive të dy shtetasve të huaj, të dy me rekorde të theksuara kriminale, pasuri që kapin vlerën 2,1 milionë euro. 

Në kuadër të këtij operacioni u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, në ngarkim të shtetasve H. L., 50 vjeç, lindur në Junik (Kosovë) dhe banues në Olten (Zvicër) dhe R. (A.) S., 47 vjeç, lindur në Poloni dhe banues në Olten.

H. L. është nën hetim nga Prokuroria e qytetit Solothurn, Zvicër, për veprat penale që lidhen me lojërat e fatit (kazinotë) dhe “Pastrim parash”. Ky shtetas është i njohur për veprimtari kriminale në Zvicër, pasi është dënuar nga Gjykata e Olten-Gosen/So, më datë 26.11.2011, për veprat penale “Zhvatje me dashje”, “Sulm”, “Shtrëngim për dhënie pasurie”,“Shkelje e ligjit për armët”, të ndodhura në kohë të ndryshme.

Ndërsa shtetasi R. (A.) S. është në kërkim kombëtar në Zvicër, për veprat penale që lidhen me lojërat e fatit (kazinotë) dhe “Pastrim parash”.

Pas një pune të mirorganizuar të strukturave të Policisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, si dhe plan-operacionit  “Asetet”, u bë e mundur që të sekuestrohen asete dhe llogari bankare në shumën 2.1 milionë euro, konkretisht: 3 apartamente në Rrugën e Kavajës, Tiranë; Njësi tregtare e ndodhur në Rrugën e Kavajës, Tiranë; Sipërfaqe toke, afërsisht 5.500 m2, në Radhimë, Vlorë; Asete të një ish-kompanie të transportit ndërkombëtar të mallrave; Llogari bankare pranë bankave të nivelit të dytë, në shumën 240.000 euro dhe 210.000 franga zvicerane; 6 automjete të markave të ndryshme, prodhime të viteve të fundit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos