
Kur kanë mbetur më pak se 80 ditë nga starti i Olimpiadës Tokyo 2020, Japonia shtyn gjendjen e emergjencës, për shkak të pandemisë COVID-19. Vendimi është konfirmuar nga autoritetet vendore.
Në fund të muajit prill, përballë rrezikut të përhapjes alarmante të koronavirusit, Japonia kishte kthyer gjendjen e emergjencës në katër rajone, mes të cilave edhe në Tokio. Por, në situatën aktuale, qeveria zgjati me tre javë të tjera masat shtrënguese, që do të vazhdojnë deri më 31 maj. Përveç kryeqytetit japonez, emergjenca ka prekur prefekturat e Osaka, Kyoto, Hyogo si edhe dy Aichi e Fukuoka.
Kryeministri japonez, Yoshihide Suga, i cilësoi të nevojshme masat, për të mos rrezikuar popullatën, ndërsa edhe një herë ngrihen dyshime serioze për zhvillimin normal të Lojërave Olimpike. Kjo pavarësisht faktit se Komiteti Olimpike Ndërkombëtar ka arritur marrëveshjen për vaksinimin e të gjithë sportistëve dhe delegacioneve pjesëmarrëse në Olimpiadë me Pfizer-Biontech.
Edhe pse vaksimini për eventin nga data 23 korrik deri më 8 gusht nuk do të jetë i detyrueshëm, organet drejtuese sportive dhe qeveritare i inkurajojnë pjesëmarrësit që t’i nënshtrohet procesit. (A2 Televizion)