Operacioni antidrogë në Vlorë, reagon Sandër Lleshaj: Shqipëria është ndarë nga kanabisi

Nga A2 CNN
14 Dhjetor 2020, 12:01 | Aktualitet
Operacioni antidrogë në Vlorë, reagon Sandër Lleshaj:

Ministri i dorëhequr, Sandër Lleshaj, ka reaguar në lidhje me operacionin e organizuar nga Policia e Shtetit dhe SHÇBA në qytetin e Vlorës ku u shkatërrua një rrjet i trafikut të drogës në të cilin ishin të përfshirë 41 persona.

“Operacioni i sotëm i SHÇBA-së dhe PSH në Vlorë, ku u shkatërrua një rrjet prej 41 personash, përfshirë edhe punonjës të Policisë, është vetëm një shembull që tregon se përse kemi arritur te ky sukses që duhet të bëjë krenar të gjithë ata që kanë luftuar për këtë qëllim madhor”, tha Lleshaj.

Gjithashtu, Lleshaj shkruan dhe për konferencën e përbashkët të Policisë së Shtetit dhe Policisë italiane, lidhur me rezultatet e luftës kundër kultivimit të kanabisit 2020.

Ministri në largim, shprehet se Italia konfirmoi edhe njëherë arritjet e mëdha të Shqipërisë në luftën kundër trafikut të drogës, ku vetëm këtë vit sasia e kanabisit të trafikuar ishte më e vogël nga një vit më parë.

“Sot, Italia konfirmoi një arritje të madhe të Shqipërisë. 2020-ta shënon vitin me minimumin e sasisë së kanabisit të trafikuar drejt Italisë nga Shqipëria: 37% më pak nga 2019. Arsyet e këtij suksesi historik gjenden te shumë faktorë, ku po veçoj: Vullneti i paepur politik; Angazhimi i fortë policor; Bashkëpunimi ndërkombëtar, ku spikat ai me Italinë”, tha Sandër Lleshaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos