Opinioni paraprak i Venecias për përplasjen Presidencë-Kuvend, reagon edhe Ambasada Amerikane

Nga A2 CNN
6 Mars 2020, 21:11 | Politikë
Opinioni paraprak i Venecias për përplasjen Presidencë-Kuvend,

Me anë të një deklarate për mediat, Ambasada Amerikane në Tiranë u ka bërë thirrje palëve që të respektojnë procesin e Komisionit të Venecias, përfshi kërkesën për konfidencialitet të projekt-opinionit deri sa të finalizohet.

“Nxisim të gjitha palët që të respektojnë procesin e Komisionit të Venecias, përfshi kërkesën për konfidencialitet të projekt-opinionit deri sa të finalizohet. Mirëpresim vendimin e qeverisë për të mos ndërmarrë veprime të mëtejshme lidhur me legjislacionin përkatës derisa opinioni të finalizohet.

Po ashtu, mirëpresim deklaratën e bërë nga Presidenti Meta gjatë konferencës së tij për shtyp me Presidentin e Bullgarisë, duke afirmuar rëndësinë e një vendimi pozitiv nga BE për të hapur negociatat drejt anëtarësimit për Shqipërinë. Duhet të qëndrojmë të përqendruar tek ajo që ka më shumë rëndësi – sundimi i ligjit dhe e ardhmja e Shqipërisë në Evropë”, mbyllet reagimi i ambasadës.

Mësohet se raporti paraprak i Komisionit të Venecias për përplasjen Presidencë-Kuvend në lidhje me emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ka mbërritur në Tiranë këtë të premte.

Më herët, pati edhe një reagim nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili konfirmoi marrjen e draftit paraprak, ndërsa theksoi se palëve u është kërkuar të ruhet strikt konfidencialiteti sepse drafti është dërguar për t’u konsultuar dhe komentuar nga palët. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2020/03/06/mberrin-raporti-i-komisionit-te-venecias-cfare-thuhet-per-shkarkimin-e-presidentit/
https://a2news.com/2020/03/06/opinioni-paraprak-i-venecias-balla-presim-finalin-dekreti-i-presidentit-nuk-shqyrtohen-ne-kuvend/?utm_source=a2-related&utm_source=a2news&utm_campaign=general

A2 CNN Livestream

Latest Videos