Pandemia e Covid-19, Trump: Më e rëndë se sulmet në Pearl Harbor

Nga A2 CNN
7 Maj 2020, 13:16 | Bota
Pandemia e Covid-19, Trump: Më e rëndë se sulmet në Pearl

Presidenti amerikan Donald Trump e përshkruan pandeminë e covid-19 si sulmin më të rëndë në histori, kundër Shteteve të Bashkuara. Ai e drejton edhe një herë tjetër gishtin nga Kina, duke thënë se koronavirusi e ka goditur Amerikën më fort se sa bombardimet japoneze në Pearl Harbor gjatë luftës së dytë botërore, apo sulmet e 11shtatorit dy dekada më parë.

“Kjo është me keq se sa Pearl Harbor, më keq se World Trade Center. Nuk kemi përjetuar kurrë një sulm të tillë dhe nuk duhet të ndodhë më. Mund të ishte ndalur qe prej fillimit, Kina mund ta kishte ndalur dhe nuk e bëri”, tha Trump.

Megjithatë kur u pyet nga një gazetar nëse e shihte krizën shëndetësore si një akt lufte, Trump tha se armiku i vërtetë, me të cilin ishin në luftë ishte pandemia e jo Kina. Administrata Trump po konsideron masa ndëshkuese ndaj Kinës lidhur me mënyrën se si e menaxhoi emergjencën globale në fillimet e saj.

Nga ana e tij, Pekini pretendon se Shtetet e Bashkuara kërkojnë të zhvendosin vëmendjen nga reagimi i vet ndaj pandemisë. Qe prej zbulimit të rasteve të para në qytetin kinez të Wuhanit, koronavirusi ka infektuar 1.2 milionë amerikanë e ka vrarë mbi 73 mijë të tjerë.

Kriza, gjithnjë e më e thellë, mes Uashingtonit dhe Pekinit, u bë edhe më e qartë të mërkurën kur Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ripërtëriu akuzat kundër Kinës duke thënë se kishte mbuluar emergjencën shëndetësore. Ai përsëriti pretendimet se ka gjithmonë e më shumë prova se koronavirusi kishte dalë nga një laborator kinez, pavarësisht pohimeve të ekspertëve të shëndetësisë dhe OBSH, se origjina e tij ka gjasa të jetë natyrore. Mediat në Pekin e akuzuan për mashtrim.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos