
Presidenti amerikan Donald Trump përshkallëzon retorikën kundër Iranit, duke paralajmëruar se një luftë me Shtetet e Bashkuara do të shënonte fundin zyrtar të vendit islamik.
“Nëse Irani kërkon luftë, ky do të jetë fundi zyrtar për të. Kurrë mos i kërcëno Shtetet e Bashkuara”, theksoi Trump.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pozicionuar luftanije dhe avionë të tjerë në rajonin e Gjirit Persik gjatë ditëve të fundit. Por, paralajmërimi i Trump në Twitter shënon një ndryshim të tonit, pas përpjekjeve për të përjashtuar mundësinë e konfliktit ushtarak. Gjatë një interviste për “Fox News” të dielën, Presidenti u zotua se nuk do ta lejonte Iranin të krijonte armë bërthamore, por tha se nuk e donte konfliktin.
“Thjesht nuk dua që të kenë armë bërthamore e të na kërcënojnë. Unë nuk jam dikush që e do luftën, pasi kjo dëmton ekonomitë dhe më e rëndësishmja vret njerëz. Por, ne nuk mund të lejojmë që Irani të ndërtojë armë bërthamore”, u shpreh Trump.
Edhe Irani zbuti retorikën gjatë fundjavës, duke thënë se nuk kërkonte luftë. Zyrtarë në Uashington po shqyrtojnë të dhënat e inteligjencës për të përcaktuar nëse Irani apo milicitë që e mbështesin po planifikojnë sulme ndaj aseteve amerikane apo nëse po vepron për t’u mbrojtur nga aksione të mundshme të SHBA. (A2 Televizion)