
Edhe pse afati i përfundimit të punimeve ishte 15 muaj pas korrikut të vitit 2017, sërish edhe sot, në Parkun “Rinia” në Elbasan, vijon puna për përfundimin e tij.
Veç tejzgjatjes së punimeve, ajo çka shqetëson e deri diku bezdis frekuentuesit e rregullt të tij është hapësira e betonizuar, e cila përfshin një sipërfaqe të konsiderueshme të parkut. “Nuk e dimë pse duhet gjithë ky beton këtu, do të bëhet parkim për makinat, apo biçikletat, nuk e di”, thotë një qytetar.
Por ka edhe nga ata të cilët, mes pluhurit dhe betonit shikojnë pozitiv faktin e ndryshimit që po pëson ky park. “Pak pluhur dhe beton, por gjithsesi më duket i ndryshuar. Është park, dhe për parkun gjithmonë ka debate”, thotë një tjetër qytetar.
Rreth 250 milionë lekë të reja është granti i miratuar nga fondi i zhvillimit të rajoneve që do të mundësojë rikonstruksionin e plotë të parkut. Edhe pse thuajse një vit jashtë afateve të përcaktuara ende nuk ka një datë se kur do të përfundojnë punimet në këtë park. (A2 Televizion)