
Sipas informacioneve të deritanishme, situata e sotme në qarkun Korçë është normale dhe pa probleme emergjente.
Kjo, edhe pse reshjet e dëborës u rikthyen mbrëmjen e djeshme në zonat malore, veçanërisht në zonën e Dardhës ku ranë mbi 15 centimetra dëborë, dhe pati vështirësi në lëvizje nga Km 7 e në vazhdim ku po punohet për kriposjen.
Nuk ka probleme sakaq në aksin e Voskopojës, ndërkohë që problematike mbetet situata në aksin Shtyllë-Vithkuq, pasi dëbora në Mashkullorë ka lartësi të konsiderueshme dhe lëvizja kryhet vetëm me zinxhirë.
Reshjet e shiut dhe të dëborës në lartësitë mbi 1000 metra kanë qenë me intensitet të ulët dhe të përkohshme duke mos krijuar probleme. Të gjitha akset nacionale janë të kalueshme e pa probleme, po ashtu edhe ato rurale janë të hapura. Ka pasur prurje të përrenjve nga mali i Gramozit në bashkinë Kolonjë, për të cilat po punohet për shmangien e problemeve të ndryshme.
Energjia elektrike mbetet problematike, pasi në intervale të ndryshme ka shkëputje të saj kryesisht në zonat malore për shkak të rrjetit të amortizuar.
Ka pasur ndërprerje të shkurtra të energjisë elektrike në zonën e Gorës, bashkia Pogradec, si dhe në fshatrat Vithkuq dhe Panarit, të bashkisë Korçë. Grupet e punës janë në terren për riparimin e defekteve dhe në monitorim të situatës. (A2 Televizion)