
Opozita vijon betejën e saj në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve me pretendimet për pavlefshmëri të zgjedhjeve në Durrës dhe Shkodër.
Pikërisht në këto dy qarqe kanë bërë fushatë dy individë që janë pjesë e listës së zezë amerikane, Tom Doshi dhe Vangjush Dako. Të dy u akuzuan nga PD si të lidhur me krimin, por fjalët “non grata” apo “listë e zezë” nuk u përmend asnjëherë.
“Drejtuesi faktik i fushatës së PS në Durrës ishte ish-kryetari i bashkisë Vangjush Dako i njohur për rekorde të tmerrshme korrupsioni dhe lidhje me krimin e organizuar Shtetasi Tom Doshi i njohur dhe i skeduar për raste madhore korrupsioni dhe lidhje me krimin e organizuar”, u shpreh përfaqësuesi i PD, Logu.
Qëndrimet e demokratëve në sallë socialistët nuk i konsiderojnë prova.
“Këto janë opinionet e PD që për ne janë në kufijtë e shpifjes. Ato që lexohen këtu nuk kanë lidhje me procesin zgjedhor”, u shpreh Salianji.
Demokratët nxorën në tavolinë një listë prej 300 personash me pretendimin se ishin pjesë e shitblerjes së votës dhe kërkoi verifikimin nëse kanë votuar në 25 prill. Kjo kërkesë ndau anëtarët e KAS.
“Ne nuk mund të futemi në pyll dhe të presim çdo dru që ka pylli. Nëse zgjedhësit votojnë apo jo është e dhënë personale sensitive”, u shpreh Rusmajli.
Anëtarët e KAS kërkuan më shumë kohë për t’i dhënë përgjigje pretendimeve të PD-së dhe LSI-së për Durrësin dhe Shkodrën duke shtyrë vendimmarrjen për një ditë tjetër. (A2 Televizion)