PD përgatit ekipin për sezonin e ri, Basha iu jep dorë grave, Paloka zëvendëson Nishanin

Nga A2 CNN
29 Gusht 2021, 19:34 | Politikë
PD përgatit ekipin për sezonin e ri, Basha iu jep dorë grave,

Partia Demokratike ka zbardhur emrat e ekipit të ri që pritet të miratohen të hënën në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për ta përfaqësuar në sesionin e ri parlamentar, si dhe drejtuesit më të lartë të partisë.

Ajo që bie në sy në këto propozime është se kreu i PD, Lulzim Basha iu jep më shumë pushtet grave, të cilat në sezonin e ri politik do të drejtojnë poste kyçe

Për herë të parë, Partia Demokratike do të ketë dy gra nënkryetare: Jorida Tabaku, nënkryetare përgjegjëse për marrëdhëniet me jashtë dhe Grida Duma, nënkryetare përgjegjëse për marrëdhëniet me shoqërinë civile. 

Ish drejtori i Fushatës tashmë deputet i Tiranës, juristi Alfred Rushaj, do të jetë nënkryetar i PD dhe kryetar i Grupit Parlamentar duke zëvendëruar në këtë post Edi Palokën.

Drejtuesi politik i Qarkut të Fierit Enkelejd Alibeaj, do të jetë kandidatura e PD për nënkryetar të Kuvendit, dhe njëkohësisht nënkryetar i PD. 

Rikonfirmohet në detyrë Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi, ndërsa Edi Paloka, do të propozohet për Kryetar të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, duke i zënë vend Bujar Nishanit, një ndër kritikët më të fortë të Bashës pas zgjedhjeve.

Deputetja e zgjedhur, shkrimtarja e botuesja Flutura Açka është nominuar për postin e Kryetares së Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikës. Jemin Gjana, është nominuar si Kryetar i Komisionit Zgjedhor. 

Njoftimi i Partisë Demokratike për postet drejtuese

Për dy çështje parësore për Partinë Demokratike, ato të pronave dhe të përndjekurve, Lulzim Basha ka vendosur të ketë sekretariate të dedikuara, të cilat po kështu ju janë besuar grave.  

Për Sekretare për Pronarët dhe cështjet e pronave, Basha ka nominuar Ledina Mandian, e cila vjen nga një përvojë e pasur juridike me një fokus të vecantë në këtë fushë. Ndërsa Jonila Godole, një prurje e re në Partinë Demokratike, do të jetë Sekretare për të Përndjekurit Politikë, fushë në të cilën ka një kontribut të madh prej shumë vitesh. 

Ekonomia, klima e investimeve dhe marrëdhënia me biznesin mbetet prioriteti kryesor i Partisë Demokratike. Për të qenë sa më pranë biznesit dhe shqetësimeve të tij, Basha ka krijuar Sekretariatin për Klimën e Biznesit për të cilin është propozuar emri i Drejtuesit Politik të Qakut Kukës, dhe sipërmarrësit Flamur Hoxha. 

Garantimi i votës së emigrantëve do të jetë prioritet i PD. Prandaj në funksion të thithjes së ekspertizës, përvojës, mendimit, krijimit të mundësive për të kontribuar për një Shqipëri më të mirë, emigrantët dhe diaspora do të kenë një sekretariat të dedikuar. Ky sekretariat që mishëron prioritetin e Bashës për emigrantët dhe diasporën dhe që krijohet për herë të parë është propozuar të drejtohet nga Belind Kelliçi. 

Oriela Nebiaj, që kontributin e saj të parë në PD e ka dhënë si zëdhënëse, për të vijuar si kandidate për kryesimin e FRPD-së dhe së fundmi me rikthimin si kandidate për deputete në Tiranë, do të jetë Sekretare për Organizatat Partnere. 

Për Sekretariatin e Burimeve Njerëzore dhe atë të Marrëdhënieve me Publikun janë nominuar dy zonja, Arta Sakja, me një kontribut të gjatë në Partinë Demokratike dhe deputetja e Shkodrës Greta Bardeli. 

Për postin e Sekretarit Organizativ, është propozuar z. Ervin Minarolli, ndërkohë që  

Sekretar për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore, emri i propozuar është Ivi Kaso. 

Për herë të parë krijohet Sekretariati i Koordinimit Elektoral si dhe Sekretariati i Organizimit Dixhital. Për këto dy poste janë nominuar Taulant Zeneli dhe Endri Hasa. 

Studiuesja dhe pedagogia Enriketa Papa - Pandelejmoni është emëruar nga kreu i PD për pozicionin e kryetares së Fondacionit për Liri dhe Demokraci. 

Ndërkohë është zbardhur edhe ndarja e përgjegjësive ne Grupin e ri Parlamentar. Grupi që do të drejtohet nga nënkryetari i Partisë Alfred Rushaj do të ketë dy Nënkryetarë: Ervin Salianjin dhe Luçiano Boçin. Detyra e Zëdhënësit të Grupit i është besuar Orjola Pampurit, ndërkohë që ajo e Sekretarit të Grupit Parlamnetar, deputetit të ri të Vlorës Arbi Agalliu.  

Deputetët janë ndarë në 8 komisone ku drejtimi nga ana e PD i është besuar:  

Komisioni për Integrimin Europian: Jorida Tabaku 

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik: Agron Gjekmarkaj 

Komisioni për Punën, Cështjet Sociale dhe Shëndetësinë: Albana Vokshi  

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut: Oerd Bylykbashi 

Komisioni për Ekonominë dhe Financat: Sorina Koti 

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregëtinë dhe Mjedisin: Helidon Bushati 

Komisioni për Sigurinë Kombëtare: Flamur Noka 

Komisioni për Politikën e Jashtme: Tomorr Alizoti  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos