
Më datë 2 shtator do të mbahet Asambleja e Partisë Socialiste, ku pritet të propozohen dhe emrat e kabinetit "Rama 3". Takimi do të mbahet në orën 10:00 në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Në mesazhin që Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla i ka dërguar anëtarëve thuhet se duhet të merren masat për pjesëmarrjen në Asamble.
Kryeministri Rama ka njoftuar se këtë javë do të bëhen publike emrat e qeverisë së re.
Najada Çoma nuk do të jetë pjesë e grupit të ri parlamentar socialist, pasi ka hequr dorë nga mandati i deputetes.
Largimin nga qeveria e ka paralajmëruar edhe zv.kryeministri aktual, Erjon Braçe, i cili përmes një statusi në Facebook la të kuptohet se mund të bëhet fjalë për një mbyllje të aktivitetit të tij politik kur bën dhe një bilanc të 24 viteve në politikë.
Ndërkohë gjatë një takimi me deputetët e vjetër dhe rinj, dy ditë më parë kryeministri Edi Rama bëri konfirmimet e para të drejtuesve për mandatin e tretë. Ai rikonfirmoi në detyrë kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Ballën, dhe ministren e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropalin. (A2 Televizion)