
A2 pyeti kryeministrin Rama përse vendimi i qeverisë që trajton me pension familjen Rasha, e cilëson aksidentale humbjen e jetës së 25-vjeçarit.
Kreu i qeverisë shpjegoi se askush nuk merr përsipër të zëvendësojë rolin e gjykatës, por bëhet fjalë për një term juridik-teknik, për të veçuar raste të tilla nga ato të operacioneve të mirëfillta policore ku asgjësohet një person i rrezikshëm.
“Pikërisht se qeveria nuk është gjykatë dhe pikërisht se qeveria nuk mund të marrë përsipër të bëjë rolin e gjykatës është përdorur një term juridik, teknik, për të përcaktuar arsyen e dhënies së pensionit. Është thënë “aksidentalisht” nga veprimi i forcave policore. Kjo do të thotë se personi që humbi jetën nuk ka qenë objekt i ndonjë misioni policor. Ka raste kur policia vendos në një operacion që një person i rrezikshëm duhet asgjësuar, por ky nuk është rasti. Kjo nuk ka lidhje me aksidentin, në kuptimin e vendosjes së një fjale përfundimtare mbi çështjen gjyqësore, pasi kjo është më vete”, u shpreh Rama. (A2 Televizion)