
Kryeministri u shpreh se fëmijët po përdoren si “mish për top” në protestat e ditëve të fundit, për vrasjen e Klodian Rashës nga një efektiv policie. Rama u shpreh se minorenët nuk janë të vetëdijshëm për atë që janë duke bërë, ndërsa ata që qëndrojnë pas tyre janë kriminelë, sipas Ramës.
“Boko Haram është një organizatë terroriste që ka marrë stafetën e të tjera forcave që kanë shfrytëzuar të miturit. Si mund të ndodhë kjo në Shqipëri? Nuk janë ata fëmijë të vetëdijshëm për atë që bëjnë. Nuk janë të motivuar nga politika në qenien e tyre apo nga ideja e një drejtësie. Ata fëmijë janë të abuzuar. Janë të përdorur si "mish për top". Si mundem të them që ata minorenë që vandalizuan selinë e PS në Shkodër janë fajtorë. Ata nuk janë as fajtorë as të vetëdijshëm për atë që bënë. Ata janë fëmijë nga familje që kanë problematikat e tyre, por ata që janë pas tyre janë kriminelë”.
Më tej, ai riktheu në kujtesë protestën për armët kimike dhe atë të studentëve. “Çfarë i thonë këta popullit shqiptar, dilni dhe bëni kështu se kjo është rruga për të rrëzuar regjimin? Cilin regjim? Mund ta kontestosh qeverinë tonë për 1001 arsye, por kjo bëhet paqësisht dhe me votë. Po të ishte kjo një protestë siç përpiqen ta teorizojnë do të ishin të gjithë nxënësit, studentët siç ishin për armët kimike. Nuk dogjën asnjë fije bari, nuk hodhën asnjë gur. Dolën në protestë dhe kthyen një nismë që pa ata mund të kishte shkuar në drejtim tjetër. Kjo qeveri ka të meta, por nuk ka atë që të jetë shurdhe ndaj protestës. E njëjta gjë me protestën e studentëve. Kishte disa ndotës, por në fund e arriti qëllimin sepse vetëdija ime dhe qasja jonë është të jemi të vëmendshëm dhe të dëgjojmë. Qeveria është e fortë kur bën gjënë e drejtë. Disa mendojnë se në Kukës na zmbrapsën. Nuk është e vërtetë”. (A2 Televizion)