Pas humbjes së pamerituar ndaj Turqisë, kombëtarja shqiptare është zhvendosur menjëherë drejt Moldavisë në kundër të takimit tjetër të eliminatoreve, mbrëmjen e sotme. Mbetet për t’u parë gjendja fizike e futbollistëve kuqezinj pas 90 minutave intensive ndaj Turqisë.
Pikërisht për këtë trajneri Reja u shpreh në konferencën për shtyp se mund të ketë disa ndryshime në varësi të gjendjes së lojtarëve ndërsa kapiteni Memushaj kërkon nga skuadra të tregojë të njëjtën pjekuri.
“Duhet të bëjmë paraqitje të mëdha, që ta mbyllim në kuotë të njëjtë pikësh me Islandën, pasi jemi të favorizuar nga diferenca e golave për vendin e tretë. Klasifikimi si te tretët është një detyrim. Vendi i dytë është i vështirë, duhet të bjerë tërmet që situata të ndryshojë, por ne kemi detyrën ta provojmë deri në fund”, tha trajneri Reja.

Formacioni pritet të jetë pak a shumë i njëjtë me atë të tri ditëve më parë. Por Roshi pritet të zërë vendin e Lenjanit në krahun e majtë ndërsa dyshja e sulmit këtë herë do të jetë me shumë gjasa Balaj-Cikalleshi e jo Manaj. “Nëse do të ishte në dorën time, do të mbaja të njëjtin formacion si ai në Turqi, por duhet të vlerësojmë edhe lodhjen e lojtareve, pasi dikush mund të ketë nevojë të çlodhet. Nëse kështu ndodh, do të bëjmë pak ndryshime”.
Me ëndrrën e kualifikimit që tashmë ka marrë fund, trajneri Reja pret reagim nga skuadra për të rritur moralin dhe për të treguar se performanca në Turqi nuk ishte një rastësi. (A2 Televizion)