
Një 46-vjeçar është arrestuar nga Policia e Pogradecit pasi akuzohet se ka përdhunuar një vajzë të mitur 13-vjeçare. “Dyshohet se ky shtetas gjatë muajit gusht, ka kryer marrëdhënie seksuale në mënyrë të përsëritur me të miturën”, thotë Policia.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Vërdovë dhe autori i dyshuar mësohet se quhet Blerim Bizgjoni. Sipas informacioneve të siguruara nga A2, ai e ka marrë vajzën nga familja me pretendimin për t’u kujdesur për të, pasi babai i vajzës është me probleme mendore dhe familja është në kushte të vështira ekonomike.
Sipas një banoreje të zonës, fqinje me vajzën e abuzuar dhe autorin e dyshuar, ai e merrte sistematikisht vajzën prej një viti në banesën e tij, ku jetonte bashkë me gruan dhe dy vajzat e tij, me pretendimin se vajzat ishin shoqe dhe mësonin bashkë.
Vetëm një ditë më parë, ajo ka mundur të kontaktojë me efektivë të Policisë, të cilëve u ka referuar atë që ka ndodhur duke bërë që Bizgjoni të vihej në pranga. (A2 Televizion)