
Pezullimi i nenit mbi përgjimet e policisë nga ana e Gjykatës Kushtetuese është mirëpritur nga juristët të cilët thonë se dispozita e hartuar nga Ministria e Brendshme nuk ishte e qartë, ndërsa binte në kundërshtim dhe me ligjin për përgjimet.
Por çfarë ndodh në një kohë që ligji i ndryshuar i policisë kishte 6 muaj që vepronte ndërsa përgjimet mund të jenë aplikuar përgjatë kësaj kohe?
“Do të jetë detyrë e prokurorive në rastin konkret që kur konstatojnë nga ana e policisë se në zbatim të kësaj dispozite janë përdorur këto mjete për konfirmimin e provës do të jetë kompetencë e prokurorisë për të mos i përdorur këto, pasi kur të shkojë në gjykatë mund të konstatojë pavlefshmëri absolute të këtyre vendimeve si akte proceduriale”, thotë Bilali.
Pak ditë më parë Gjykata Kushtetuese pranoi ankimin e Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit duke pezulluar nenin 131 mbi masat e veçanta që aplikon policia.
Në vendimin e bërë publik, gjykata argumentoi se përgjimet kufizonin të drejtën kushtetuese të jetës private, por edhe duke mos respektuar kështu rastet e kufizimit të kësaj të drejte me ligj. (A2 Televizion)