
Udhëzuesit për rinisjen e punës së transportit urban ishin të qarta. Distancim social dhe maska me detyrim, ishin dy nga masat për të cilat nuk duhet të kishte asnjë kompromis. Sot, pas më shumë se një viti nga këto vendime, pandemia vijon të na mbajë në alarm me mutacionet e njëpasnjëshme të Covid-19. Masat po ashtu mbeten të njëjta, sikundër dhe shpërfillja për zbatimin e tyre.
Maska dhe distancimi ishin rekomandimet kryesore, por nuk zbatohen, aq më tepër në ditë me mot të keq, por ndikuar dhe nga reduktimi i flotës.
Për çdo mëngjes, qytetarët rendin pas punës dhe aktivitetit të përditshëm. Dukshëm asnjë rregull nuk zbatohet nga shumica e tyre, për me tepër kjo ndihmohet edhe mungesa e kontrollit nga autoritetet. Dy metra distancë nga tavolina në tavolinë u përcaktua si rregull për baret dhe restorantet.
Rihapja e aktivitetit, fillimisht, solli zbatueshmëri për shkak të gjobave, ndërsa sot, lokalet kanë afruar tavolinat dhe kanë shtuar karriget.
Çdo mbrëmje, dyndja në lokale është e pashmangshme e mbi të gjitha e pakontrollueshme.
Pas një viti pezullim, edhe në sheshin Skënderbej rikthehen kioskat e bizneseve të shërbimeve bar-kafe dhe ato argëtuese.
Aroma e festave tërheq shumë qytetarë aty ku deri para dy javësh ishte qendra e parë e vaksinimit masiv. Sot ato janë një risk i shtuar për përhapjen e virusit Covid-19. (A2 Televizion)