Përkujtohet Ayrton Senna, 26 vite nga kthesa e “mallkuar” në San Marino

Nga A2 CNN
1 Maj 2020, 14:43 | Sporte të tjera

Kanë kaluar 26 vite nga 1 maji i mallkuar i vitit 1994, ku një prej kthesave të “Çmimit të madh të San Marinos”, nuk mundi të shmangë dot tragjedinë, legjenda Ayrton Senna.

Ajo fundjavë në pistën e “Imolas”, do të kujtohet gjithmonë me dhimbje. "Zoti kishte pasur dorën e tij në Formula 1 prej shumë kohësh dhe sot ai e hoqi". Kështu do të shprehej Niki Lauda 26 vite më parë.  Ora shënonte 14 e 17 minuta në momentin që Senna, lider i asaj gare, humbi kontrollin dhe u përplas me murin rrethues.

Piloti brazilian u dërgua menjëherë në spital, dhe 37 minuta pas përplasjes gara rifilloi me Michael Schumacher që kaloi i pari vijën e finishit. Në orën 18 e 40, gati 3 orë më vonë, u njoftua se piloti i Williams kishte ndërruar jetë.

Funerali i Ayrton Sennas mblodhi më shumë se 1 milion njerëz e ndoshta 3-fishin në rrugët e vendlindjes së tij. Atë pasdite u shkruajt shumë, për karrierën e brazilianit, rivalitetin e përhershëm me francezin Alain Prost por edhe shkaqet e aksidentit të tmerrshëm.

Ayrton Senna ishte frymëzim për miliona njerëz në Amerikën Latine. Pak përpara vdekjes së tij, ai i tha familjes se dëshironte të niste një projekt për të vënë barazi te fëmijët brazilian. Projekti mori jetë 3 muaj pas tragjedisë nga familja e tij.

Prej 26 vitesh, në Brazil ndihmohen 1.5 milion fëmijë çdo vit. “Ndjej dhimbje sa herë mendoj për atë aksident. Ayrton ishte zot në shtëpinë tonë dhe mbeti i tillë për dekada”.  Këto janë fjalët e ish-numrit 1 të Wlliams, Frank Williams, për pikën e tij të dobët, Ayrton Senna.

 “Jam i sigurt se jo vetëm unë, por 99 përqind e ne pilotëve, i referohemi Sennës si idhull. Unë personalisht u dashurova me agresivitetin, vendosmërinë dhe përulësinë e tij në pistë. Ishte një balancë që e bënte një njeri të shkëlqyer, por kur vinte duart në timon, ishte piloti më i frikshëm”, thotë piloti Daniel Ricciardo.

Njerëzit në Brazil mbajnë ende zi për legjendën e Formula 1. Më shumë se 30 mijë persona do të bëjnë homazhe dhe të kujtojnë pilotin e tyre, në Sao Paolo të Brazilit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos