
Nënkryetari i PD Edi Paloka ka paralajmëruar se PD do të kallëzojë penalisht çdo punonjës policie që ka ushtruar dhunë ndaj banorëve, gjatë përplasjes se një dite më parë në zonën e unazës së re.
“Çdo punonjës policie, që i urdhëruar nga Edi Rama, Erion Veliaj dhe Sandër Lleshi, për të sulmuar në mënyrë kriminale banorët dhe për t’u rreshtuar në anën e krimit, duhet ta ketë të qartë: Do të trajtohet si kriminel shumë shpejtë. Dita e përballjes me ligjin nuk është e largët. Partia Demokratike do të depozitojë kallëzim penal për shpërdorim detyre dhe ushtrim dhune, ndaj çdo drejtuesi dhe punonjësi policie që ka qenë dje në shërbim të krimit dhe jo në shërbim të ligjit”, tha Paloka.
Paloka ripërsëriti se kur të vijë në pushtet PD do të dëmshpërblejë banorët për pronat e tyre me vlerën e tregut. “Banorët janë në mbrojtje të të drejtës së tyre! E drejta e pronës është themeli i një shoqërie demokratike. Kushdo prej tyre ka të drejtën të kompensohet për shtëpinë apo biznesin e tij. Këto thotë Kushtetuta. Këtë thotë Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut. Është e qartë se në shtetin privat që ka ndërtuar Edi Rama, ligji dhe Kushtetuta nuk kanë asnjë vlerë, sa kohë pengojnë hajdutërinë dhe korrupsionin e kësaj Qeverie. Partia Demokratike e ka bërë të qartë dhe e ripërsërit: Çdo centimetër katror i pronës së banorëve të Astirit do të kompensohet me vlerën e tregut. Asnjë qindarkë nuk do të humbasë. Ky ka qenë zotimi ynë me shkrim. Ky do të jetë veprimi ynë i parë në qeverisje”, shtoi ai. (A2 Televizion)