Përshtatën magazinën për kultivimin e bimëve narkotike, akuzohen se vodhën energjinë elektrike

Nga A2 CNN
1 Korrik 2021, 14:30 | Kronikë
Përshtatën magazinën për kultivimin e bimëve narkotike,

Me anë të një njoftimi për shtyp, policia e Korçës ka bërë të ditur se ka vënë në pranga pronarin e një magazinë, ndërsa ka shpallur në kërkim përdoruesin e magazinës, i cili në momentin që Policia shkoi për kontroll i vuri zjarrin ambienteve të brendshme.

Sipas policisë, shtetasi që e kishte marrë në përdorim magazinën e kishte përshtatur atë për kultivimin e bimëve narkotike. Ndërkohë, policia thekson se ndaj shtetasit V. Xh., 35 vjeç, i shpallur në kërkim, rëndon akuza e “Vjedhjes së energjisë elektrike” kryer në bashkëpunim, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”. Ndërkohë, pronari i magazinës akuzohet për vjedhje të energjisë elektrike.

Po ashtu, ka nisur procedimi penal për “Shpërdorim detyre” ndaj shtetasit R. R., 58 vjeç, banues në Korçë, me detyrë përgjegjës pranë OSHEE Korçë.

“Shtetasi V. Xh., kur ka konstatuar në afërsi të magazinës në pronësi të shtetasit R. N. dhe në përdorim nga ana e tij, shërbimet e Policisë që kishin shkuar për të ushtruar kontroll pas informacioneve të grumbulluara se kjo magazinë mund të ishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike dhe për t`i marrë deklaratë këtij shtetasi në lidhje me një ngjarje tjetër, 35-vjeçari i ka vënë zjarrin ambienteve të brendshme të saj, me qëllim që të eliminonte provat materiale dhe është larguar nga vendngjarja, duke mos iu bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar.  

Gjatë kontrollit të ushtruar në magazinë, forcat e Policisë konstatuan vjedhje të energjisë elektrike dhe gjetën të montuara disa pajisje elektrike dhe hidraulike që dyshohet se mund të shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, bën të ditur policia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos