Pipero tregon në A2 se si u zbulua pacienti i parë me koronavirus në Shqipëri

Nga A2 CNN
9 Mars 2020, 19:48 | Aktualitet
Pipero tregon në A2 se si u zbulua pacienti i parë me koronavirus

Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero, i ftuar në studion e “Ditari”-t në A2, zbuloi se pacienti i parë me koronavirus ka shkuar fillimisht në një spital privat.

“Personi i parë ka shkuar në një institucion jopublik pasi mendonte se kishte grip. Edhe pse vinte nga Italia, nuk e dimë sa informacion ka pasur në lidhje me mënyrën se si duhet të vepronte. Më pas, është dyshuar se mund të jetë një rast koronavirusi dhe është nisur menjëherë në kushte maksimale sigurie në Qendrën Spitalore Universitare”, tha Pipero.

Kur u pyet nëse stafi i atij spitali privat është në karantinë, Pipero deklaroi: “Nuk kam informacion, por në raste të tilla varet nga shumë indikatorë. Nga koha e ekspozimit, sa informacion ka pasur apo sa ka qëndruar atje. Vlerësohen të gjitha këto dhe vendimin e merr Instituti i Shëndetit Publik”.

Më tej, mjeku zbuloi se kush janë medikamentet që mund të përdoren për të luftuar koronavirusin. Sipas tij, “ende nuk kemi protokoll mjekimi me antiviralë të drejtpërdrejtë ndaj covid-19”, por mjeku shtoi se “nga eksperienca e kolegëve tanë në Itali, ka fakte që medikamente që i përdorim për gripin sezonal, japin rezultate shumë premtuese për koronavirusin. Tamiflu ka dhënë rezultate për shembull”.

“Unë mendoj se medikamente të tilla do t’i përdorim sipas sugjerimeve të specialistëve”, theksoi Pipero.

Mjeku nënvizoi se në kufi është e pamundur që të dallosh nëse një person është i prekur apo jo nga koronavirusi.

“Nuk mund të kapet më herët nëse pacienti nuk ka shenja klinike ose vetë pacienti nuk vetëdeklarohet që vjen nga një zonë me intensitet virusi. Në pika kufitare mund të matet vetëm temperatura dhe nëse ka temperaturë, i bëhet një pyetësor personit. Pavarësisht masave të marra në pikat kufitare, pa shenja klinike nuk identifikohet dot. Është e rëndësishme që një person të bëjë veprimin më të mirë: të marrë në telefon 127 dhe jo të shkojë në qendër shëndetësore. Kjo, për të shmangur kontakte me njerëzit”, deklaroi Pipero.

Në lidhje me vendimin për mbylljen e shkollave, Pipero tha: “Mbyllja e shkollave është i vetmi veprim që mund të bëjmë për të ngadalësuar ritmin e shpërndarjes. Çdo ditë kemi punuar dhe jemi trajnuar sikur e kemi virusin, kemi pasur kohë të përgatitemi”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos