Një nga dukuritë e ditës së sotme zgjedhore, në pritje të rezultateve të para, është sigurisht pjesëmarrja. Sipas të ftuarve në A2, një seri faktorësh e kanë bërë atë të mundur.
“Si rrallë herë e ka pasur flukse njerëzish në qendrat e votimit. Si rrallë kanë qenë në thirrje intensive, motoja gjatë ditës ka qenë stimulimi për të votuar masivisht. Institucionalizimi i votës duhet të marrë formën e duhur në Shqipëri”, thotë Gerta Meta, Drejtuesja ekzekutive e Shoqatës për Kulturën Demokratike.
Analisti Plator Nesturi shton edhe një element. “Listat e hapura kanë ndikuar në rritjen e pjesëmarrjes, sepse secili kandidat ka mobilizuar votuesit e tij personal, dhe personat kanë patur më incentive për të votuar”.
Pedagogu Erlis Cela dakordëson, por shton se listat janë në fakt “gjysmë të hapura, po të kishin qenë tërësisht të hapura do të kishim pjesëmarrje edhe më të madhe”. Sipas tij, “ kemi patur një fushatë ku alternativat kanë qenë të dallueshme, ashtu si dhe ideja që të dy palët janë afër njëra tjetrës. Kur ka pjesëmarrje të lartë, ka votë ndëshkuese, zakonisht. Unë mendova që ngjarjet e ditëve e fundit do të stepte elektoratin, ndërkohë që angazhimi i qytetarëve duket i lartë”. (A2 Televizion)