
Një bankë e nivelit të dytë në kryeqytet ishte vënë në shënjestër të një grupi grabitësish. Një ditë më parë policia mësoi se grupi, ende i paidentifikuar, kishte planifikuar të hynte në bankë nëpërmjet kanaleve të nëndheshme të ujërave të zeza në Bulevardin Zogu i Parë.
Informacioni i qytetarëve se brenda tuneleve të nëndheshme kryheshin punime të dyshimta vuri në lëvizje policinë.
Dje pasdite të kamufluar si punëtore mirëmbajtjeje disa persona ende të paidentifikuar nga policia, po planifikonin grabitjen e bankës e cila ndodhet vetëm 200 metra larg kryqëzimit në afërsi të ministrisë së Drejtësisë.
Prej mesditës së të hënës dhe gjatë së martës forca të shumta policie ushtruan kontrolle në kanalin në Bulevardin Zogu i Parë, por nuk dihet nëse është arritur gjetja e ndonjë materiali që mund te çojë në identifikimin e autorëve.
Për zbardhjen e plotë të kësaj tentative grabitje policia ka sekuestruar dhjetëra kamera sigurie në zonë, si dhe ka gjetur një pistoletë në afërsi të tunelit. Deri në këtë fazë hetuesit nuk kanë të përcaktuar nëse arma sekuestruar i përket ndonjërit prej grabitësve apo dikujt tjetër. (A2 Televizion)