Po shkëlqen në Turqi, Bregu: I etur për gola, ftesa nga Kombëtarja e mirëpritur

Nga A2 CNN
6 Prill 2023, 08:51 | Futboll
Po shkëlqen në Turqi, Bregu: I etur për gola, ftesa nga

Dejvi Bregu po shkëlqen në Turqi me skuadrën e tij Boluspor që militon në Ligën e Parë turke. Deri më tani, futbollisti vlonjat është protagonist i pesë golave dhe gjashtë asiste, si dhe është kthyer në një lider për skuadrën e tij.

Në një intervistë në skype për A2 CNN, Bregu nuk bëri premtime, por tregoi se është i etur për të shënuar dhe më shumë.

"Nuk i kam vënë ende një objektiv vetes në numër. Po dua të shënoj sa më shumë, të bëj sa më mirë për skuadrën time dhe në fund të vendos për të ardhmen. Jam në formë të mirë dhe kërkoj gjithmonë maksimumin nga vetja'', tha Bregu.

Pavarësisht ndeshjeve të mira në Turqi, vlonjati nuk mori një ftesë nga Kombëtarja, por theksoi se për çdo gjë do përgjigjet vetëm në fushë.

''Nuk do dëgjoni ndonjëherë nga mua t’i komentoj zgjedhjet e trajnerit të Kombëtares. Mua më takon vetëm të bëj detyrën time në fushë. Nuk jam i zoti me fjalë dhe komente jashtë fushës. Mendoj të bëj maksimumin këtu dhe në rast se vjen një ftesë nga Kombëtarja, sigurisht është e mirëpritur”, shtoi futbollisti.

Bregu bëri një koment dhe për Superligën shqiptare dhe garën e fortë mes skuadrave.

''Lufta është mes Tiranës dhe Partizanit, nuk është se i kam ndjekur shumë që mund të them se kush do të dalë kampion. Ndjek më shumë Teutën. Teuta ka lojtarë kampionë në gjirin e saj. Në ndryshim nga viti që luajta unë është se kishte shumë lojtarë me eksperiencë, që mbanin në shpatulla të gjithë peshën e ekipit, por mendoj se edhe tani nuk i mungon asgjë. I kanë të gjitha mundësitë për të fituar Kupën e Shqipërisë”, përfundoi Bregu.

Dejvi Bregu ka një kontratë me skuadrën e Bolusporit deri në fund të sezonit dhe më pas do të vendosë për të ardhmen e tij. Për 27-vjeçarin nuk mungojnë ofertat dhe në merkaton e verës mund të këtë surpriza të mëdha.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos