“Policia të mos merret me aksione të IKMT-së, por me sigurinë publike”

Nga A2 CNN
28 Qershor 2021, 22:24 | Kronikë
“Policia të mos merret me aksione të IKMT-së, por me

Deklarata e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi është parë si ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit nga kreu i ILD Artur Metani. Por si e komentojnë gazetarët Armand Bajrami, Jul Kasapi dhe Mentor Kikia? Në studion e “Absolut 4”, gazetari i A2 CNN Armand Bajrami ndau të njëjtin qëndrim me atë të kreut të ILD, pasi sipas tij nuk i takon një ministri të komentojë vendimet e gjyqësorit. Por për gazetarin Kasapi, Çuçi mund t’i bëjë këto deklarata se janë politike.

Ndërsa për gazetarin Kikia, gjykatësi është pika finale për të bërë drejtësi. Sipas tij drejtësia fillon që nga vendi i ngjarjes mbledhja e provave.

“Gjykatësi është pika finale e të bërit drejtësi, për drejtësi duhet të fillojë që te vendi i ngjarjes dhe dërgimi i provave. Nëse i çojmë copa gazetash të prera, atëherë asnjë gjykatës nuk e merr përsipër”.

Kasapi solli në vëmendje ngjarjet e fundit të bujshme kriminale në vend dhe për këtë nuk ka asnjë ndërhyrje dhe reagim nga ana e drejtorit të Policisë. Ai sugjeron që Policia të mos merret me aksionet e IKMT-së por të fokusohet te siguria Publike.

“Ne ende sot e kësaj dite kemi ngjarjen në Elbasan ku dy drejtorë policie ishin në vendngjarje dhe vijojnë të mbajnë poste të larta. Kemi drejtorin e Policisë Shkodër ku në Shkodër nuk është zbardhur asnjë vrasje. Kemi edhe raste të tanishme që për impaktin  që kanë në shoqëri janë shumë të rënda dhe vijon të jetë drejtor policie në Shkodër. Kemi raste e pushkatime publike në jug dhe ende nuk kemi asnjë ndërhyrje nga ana e drejtorit të përgjithshëm dhe më pas të gjithë drejtorët. Të shohim nëse do ketë rifreskim e zëvendësim të emrave apo do ketë ndërhyrje nga ana e policisë së shtetit. Nëse do të ketë ndërhyrje që do i japin hov dhe parandalimit. Për gjatë kësaj periudhe policia nuk po parandalon asnjë ngjarje. Policia duhet të jetë me këmbë në tokë të mos merret me ndërtime pa leje e shezlongë, apo aksione të IKMT, por të jetë e fokusuar në sigurinë publike”.

Për gazetarin Bajrami fushata e Policisë kanë qenë në kufijtë e groteskes, duke nxjerrë repartin elitar RENEA për të ngritur shezlongët apo duke vënë me shpatulla pas muri të rinj që shohin ndeshjen, kur ligji e përcakton qartë reagimin e tyre. Sipas tij Policia dhe prokuroria janë në pikën zero, pasi për ngjarjet më të rënda kriminale nuk ka asnjë të dyshuar.

“Vetëm gjatë këtij viti kemi ngjarje të forta e të ashpra kriminale që nuk ka asnjë të dyshuar dhe kanë kaluar disa ngjarje. Policia  e prokuroria janë në pikën zero. Përgjegjësi ka edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Është një praktikë në kufijtë e të panevojshmes kur ngjarja ndodh dhe shkon drejtori i policisë. Të gjitha këto bëhen në kuadrin e  shfaqjes, shoë, të shfaqen para kamerave dhe po në këto brazda shkojmë në përdorimi e policisë së shtetit, si aksioni i RENEA, reparti elitë policor që ngrenë shezlongët e hoteleve dhe që mbështeste pas murit ata që shikonin ndeshjet e Europianit poshtë lagjes. E gjitha në kuadër të një fushate që; shikoni ç’po bëjmë, aq më tepër cili është përcaktimi ligjor që reparti elitë del nga reparti? Fushata në kufijtë e groteskes”.

Në këtë kontekst Kikia thekson se shteti nuk funksionon me fushata por në mënyrë sistematike, të vazhdueshme dhe funksionale.

“Shfaqje e funksionimit të shtetit me fushata për të kërkuar personat e rrezikshëm. Shteti nuk funksion me fushata, por në mënyrë sistematike dhe të vazhdueshme që duhet të jenë funksionale. Shteti nuk mund të demonstrojë forcën e tij me prezencë fizike. Shteti nuk funksionon. Ka një prezencë policie që krijon psikologji të rënduar. Qëllimi i kameras është që të kapë qytetarin në shkelje dhe jo të parandalojë. Nuk funksionon duke ndërruar drejtorët. Është çështje e frymës e mentalitetit të marrëdhënies me institucionin e detyrën. Ka specialistë shumë të mirë po varet si i orienton”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos