Policia zbarkon në Copacabana, brazilianët s’i rezistojnë dot diellit

Nga A2 CNN
21 Qershor 2020, 16:05 | Bota

Policia zbarkoi në plazhin ikonik të Rio De Zhaneiros në Brazil, për të larguar prej atje pushuesit, teksa numri i viktimave ka arritur në pothuajse 50 mijë.

Brazilianët nuk i kanë rezistuar dot diellit, rërës dhe detit, pavarësisht kufizimeve, ndërsa numri i të prekurve nga Covid-19 i tejkaloi 1 milion.

Policia i kërkoi qytetarëve në të gjithë vijën bregdetare, që të largohen pasi vetëm në këtë mënyrë do të mund të parandalojnë përhapjen e koronavirusit. Rasti i parë në Brazil u raportua më 26 shkurt, por vetëm në maj, ky vend u përball me një valë rastesh të reja, që sot janë mbi 1 milion.

Ekspertët, megjithatë, besojnë se numri i të infektuarve është shumë më i lartë, por shifrat zyrtare bazohen te numri i ulët i testimeve të kryera.

Presidenti Bolsonaro, i quajtur edhe si “Trumpi Tropikal”, është kritikuar gjerësisht për mënyrën sesi është përballur me krizën, në vendin që ende nuk ka një ministër Shëndetësie, që prej muajit prill. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos