PR kërkon ndryshim sistemi; PDK, qeveri tranzitore

Nga A2 CNN
8 Mars 2020, 15:38 | Politikë
PR kërkon ndryshim sistemi; PDK, qeveri tranzitore

Aleatët duket se kanë arritur të bindin Partinë Demokratike për zbatimin e një formule të re për zgjedhjet e ardhshme, e cila parashikon grupimin e dy apo më shumë partive nën një sigël brenda koalicionit të madh.

Qëllimi i propozimit të 5 partive, PR, LZHK, PDK, PAA dhe PBDNJ, është maksimalizimi i votës dhe deri më tani kryerepublikani Famtir Mediu dhe kryedemokristiani Nard Ndoka thonë se kanë marrë dakordësinë e kryeopozitarit Lulzim Basha.

“Kemi rënë dakord në parim që do të pranohet. E vetmja arsye për të mos u pranuar është marria për të marrë atë që nuk të takon. Nuk besoj se është marrëdhënie luajale nëse ti kërkon t’i marrësh subjektit tjetër atë që nuk është vota jote”, deklaroi Mediu.

“Partia Demokratike në parim është shprehur pozitivisht. Është në interesin e pluralizmit dhe një skeme funksionale. Ndërsa Partia Socialiste është futur në bunkerin e Surrelit dhe nuk lëviz as me deklarata dhe as me shenja jete”, u shpreh Ndoka.

Por, çka kanë arritur deri tani duket se nuk plotëson pritshmëritë e aleatëve nga PD. Në tryezën e Reformës Zgjedhore, Mediu pret që të përcillet kërkesa për ndryshim të sistemit: “Duhet diskutuar sistemi zgjedhor, gjë që është lënë për në fund. Partia Republikane ka bërë një propozim: sistem zgjedhor me lista të hapura në nivel kombëtar, ku votohet për më shumë se një kandidat në listën e partisë përkatëse, e cila garanton besoj një vullnet të shprehur të qytetarëve për Parlamentin, por edhe një shmangie të shitblerjes së votës”.

Ndërsa kryedemokristiani Ndoka ka një tjetër prioritet: “Opozita e bashkuar do të bënte një hap të gabuar për miratimin e kësaj reforme pa u futur pjesa e kauzës sonë, që organizimi i zgjedhjeve të bëhej nëpërmjet një qeverie tranzitore. Një konsensus i opozitës pa e marrë këtë produkt do të jetë një gabim që do të na kushtojë shtrenjtë”.

Të hënën, tryeza e Reformës Zgjedhore duhet të diskutojë çështjen e sistemit zgjedhor, e cila ka qenë një kërkesë e përhershme për PD-në nga aleatët e saj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos