Nga patronazhistët dhe lufta kundër korrupsionit te procesi i integrimit, intervista e kryeministrit Rama për "France 24"

Nga A2 CNN
21 Qershor 2021, 07:43 | Politikë
Nga patronazhistët dhe lufta kundër korrupsionit te procesi i

Në një intervistë për televizionin francez "France 24", kryeministri Rama ka deklaruar se nuk do të surprizohej nga asnjë vendim i Brukselit zyrtar, lidhur me kuadrin negociues, qoftë ai dhe negativ. Sipas kryeministrit, pavarësisht se  Shqipëria i ka plotësuar kushtet, problemet e brendshme të Brukselit e kanë zgjatur shumë procesin.

“Duhet thënë se në samitin para pandemisë, u vendos që të hapeshin bisedimet, më tej kjo u zgjat sepse duhej të merrej një vendim për të thirrur Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Për fat të keq tashmë, unë u mësova të mos habitem më me atë që mund të ndodhë në Bruksel, sepse është një çështje e dinamikës së brendshme, një histori konsensusi që ndonjëherë është i vështirë, normalisht duhet ta marrim dritën jeshile duke mbajtur parasysh se ka një problem tjetër mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, sepse ne dhe Maqedonia e Veriut e presim së bashku këtë vendim dhe do të shohim nëse ky problem do të zgjidhet përpara samitit".

Përballë gazetares Caroline de Camaret, kreu i qeverisë u ndal te dënimi i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe lufta ndaj korrupsionit. Rama e quajti një sinjal të mirë për shtetin e së drejtës, dënimin e ish-kryeprokurorit.

“Nëse Shqipëria nuk do të kishte probleme, sot do të ishim në BE. Prandaj ne kemi hyrë në këtë betejë për të reformuar drejtësinë. Nëse ish-kryeprokurori, dhe ish-personalitete të gjyqësorit dhe politikës dënohen, është një sinjal i mirë për shtetin e së drejtës, prandaj ne vazhdojmë këtë proces negociatash, për të ndërtuar një shtet të së drejtës, një demokraci funksionale.”

Kryeministri u pyet edhe për patronazhistët dhe zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa theksoi se ato u njohën nga OSBE/ODHIR.

“Ne kemi një raport nga OSBE/ODIHR që janë shumë të qartë për integritetin e fushatës dhe zgjedhjeve. Jam shumë i kënaqur që m'u bë pyetja, se kam lexuar artikuj të pavërtetë edhe në Francë. Nuk janë të dhëna personale individuale që kanë dalë, por janë dhënë tek organizata e partisë, që nuk kanë lidhje me të dhënat personale. Së pari, të dhënat dhe regjistri i gjendjes civile në Shqipëri ka qenë publik në internet përgjatë viteve. Së dyti, numri i kartave të Identitetit, nuk është personal. Është një numër që tregon që këtë kartë e ka ky person në shërbimin civil, por nuk është e dhënë sensitive”.

Një tjetër çështje që u trajtua në intervistë ishte dhe menaxhimi i pandemisë dhe vaksinimi i popullsisë në Shqipëri, ndërkohë që Rama vlerësoi vendimin e BE-së, për të hapur dyert për shqiptarët.

 “Kemi bërë një punë që është serioze dhe me rezultate që janë vlerësuar nga e gjithë bota. E gjithë Shqipëria është në krye të listës evropiane për vaksinimin masiv dhe me shifra optimale për infektimet dhe fatalitetet. Unë personalisht kam bërë Pfizer, por në vend i kemi të katërta vaksinat. Ne kemi Pfizer, AstraZeneca, Sinovac dhe Sputnik. Ne kemi një sukses sipas statistikave që jemi me nivelin e riskut 1. Në Shqipëri mund të hysh mund të dalësh, pa test pa asgjë. Maskat që prej javës së shkuar nuk janë të detyrueshme, kemi ende një vendim për mbajtjen e maskave brenda, por nuk ka probleme me vendosjen e masave që detyrojnë qytetarët”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos