
Ditën e enjte, 25 korrik, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, do të paraqitet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të dëshmuar për llogari të prokurorëve federalë belgë.
Ai do të pyetet në cilësinë e personit që ka dijeni mbi çështjen “Toyota Yaris”. Në vijim të ekzekutimit të letërporosisë së dërguar nga autoritet belge, përfaqësues të Prokurorisë Federale të Belgjikës kanë mbërritur në Tiranë me qëllim vijimin e kryerjes së veprimeve proceduriale të kërkuara dhe te lejuara nga autoritet gjyqësore shqiptare.
Këto veprime konsistojnë në marrjen në pyetje të personave të pandehur si dhe marrjen në pyetje të shtetasit Lulzim Basha ditën e enjte datë 25.
Basha nuk ka pranuar të tregojë burimin për autoritet shqiptare të hetimit në lidhje me procedimin penal të hapur në vend. Ndërkohë që ka shprehur gatishmërinë për të dëshmuar për llogari të shtetit belg.
Në qershor 2018, 3,4 milionë euro u bllokuan në një makinë Toyota Yaris në portin e Durrësit.
Për këtë çështje Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për katër persona të arrestuar, Edi Lika, Klevi Lika, Arben Ceka dhe Alban Mollaymeri, të cilët akuzohen për pastrim parash, armëmbajtje pa leje, falsifikim të monedhave dhe grup të strukturuar kriminal.
Në kërkim janë dhe dy persona të tjerë, kushërinjtë Elvis dhe Alfred Vladi. Ata mendohet se janë porositësit e makinës Toyota Yaris ku u gjetën paratë. (A2 Televizion)