
Tregtarët e tregut të fruta-perimeve në qytetin e Durrësit vijojnë protestat e tyre në lidhje me ndryshimin e vendit të caktuar nga bashkia, për të ushtruar aktivitetin e tyre deri në rikonstruksionin e plotë të markatës së vjetër.
Kjo është zona e fushës se rërës, në lagjen 15, ku bashkia ka menduar që gjatë 120 ditëve që duhen për rikonstruksionin e markatës, të spostohen përkohësisht. Por tregtarët protestojnë, duke u ankuar për higjienën dhe kushtet.
“Jemi në qiell të hapur nuk vjen njeri sepse është larg, kemi 20 vjet që paguajmë taksat. Këtu nuk ka kushte, as për nevojat personale. Kryetarja e bashkisë ndoshta nuk ka ardhur ta shohë fushën”, ankohen tregtarët.
Tregtimi në këto kushte, sipas tregtarëve do të thotë falimentim për ta, pasi malli u prishet dhe qytetarët nuk vijnë kaq larg.
Ndërkohë që edhe plehrat ashtu si në shumë zona të tjera të Durrësit ishin të pranishme edhe në këtë fushë ku pretendohet të tregtohen fruta-perime. (A2 Televizion)