
Presidenti francez Emanuel Macron dënoi manifestuesit që u përleshën me policinë gjatë protestave të nxitura nga rritja e çmimit të naftës në Paris.
“Falënderoj forcat e rendit për kurajën dhe profesionalizmin e treguar.
Turp t’ju vijë atyre që i sulmuan dhe manipuluan qytetarët e tjerë e gazetarët. Turp, atyre që u përpoqën të frikësonin zyrtarët. Në republikën franceze nuk ka vend për dhunë” komentoi kreu i Elizesë në një postim në rrjetin social Twitter.

Champs Elisees u përfshi nga kaosi të shtunën, kur policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë për shpërndarjen e protestuesëve. Demonstrata e të ashtuquajturve ‘jelekët e verdhë’, u pagëzua si akti i dytë në fushatën kundër rritjes së çmimit të karburanteve e politikave ekonomike të Macron.
Më shumë së 100 mijë persona morën pjesë në rreth 1,600 protesta në Francë ditën e shtunë, sipas ministrisë së brendshme. Shumica e tyre u zhvilluan në mënyrë paqësore, përveçse në kryeqytet ku mbi 8 mijë vetë dolën në rrugë.

Në Paris, ku protestat vazhduan edhe përgjatë natës, u mobilizuan rreth 5 mijë policë. Barriera metalike u ngritën rreth bulevardit te Champs Elizes ku gjenden godina të rëndësishme, si pallati presidencial dhe asambleja kombëtare.
Por që në orët e para të mëngjesit manifestuesit u përpoqën ti thyenin barrierat, i vunë zjarrin objekteve të shumta dhe shkaktuan dëme nëpër rrugë.
Sipas autoriteteve të paktën 19 persona mbetën të lënduar në përleshje, përfshirë 4 efektive, ndërsa 40 të tjerë u vunë në pranga.
Ministri i brendshëm Christophe Castaner akuzoi protestuesit se ishin nxitur nga liderja e partisë nacionaliste Marine Le Pen. (A2 Televizion)