
Autoritetet siciliane kanë sekuestruar prona me vlerë 1,5 miliardë euro të regjistruara në emër të trashëgimtarëve të një biznesmeni që dyshohet se kishte lidhje me mafien. Operacioni konsiderohet si një ndër më të mëdhenjtë e realizuar ndonjëherë në Itali.

Carmelo Patti, i cili ka vdekur në vitin 2016, vinte nga një familje e varfër nga periferia e Trapanit dhe kur ishte ende fëmijë nisi të shiste rroba në rrugë. Por vite më vonë arriti të bëhej bosi i agjencisë së udhëtimeve “Valtur” dhe në fund të jetës ishte pronar i disa shtëpive në Itali, Marok, Bregun e Fildishtë dhe Tunizi, si dhe disa resorteve dhe fushave golfi.

Prokurorët dyshojnë se Patti ka bërë një marrëveshje me bosin famëkeq të mafies, Matteo Messina Denaro, i cili është në arrati prej vitit 1998. Ai konsiderohet se është "bosi i bosëve" pas arrestimit te Bernardo Provenzanos dhe është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje ndërsa foto e vetme e njohur e tij daton në vitin e largët 1990. (A2 Televizion)