“Të mos njoftohen personat që nuk meritojnë legalizimet, pasi do të votojnë për palën tjetër”. Kjo është përmbledhja e një audiopërgjimi të publikuar nga gazetari Artan Hoxha, ku dëgjohet drejtori i Agjencisë së Kadastrës, Artan Lame, të instruktojë stafin e tij gjatë një mbledhjeje.
Në audiopërgjim dëgjohet Lame sesi instrukton stafin e tij, pas një takimi me kryeministrin - siç thotë ai – që të zvarrisë kthimin e përgjigjes për rreth 100 mijë aplikantë që nuk e përfitojnë legalizimin e ndërtimeve të tyre, bazuar në ligj, për të mos lejuar që të votojnë për palën tjetër.
“Na dalin rreth 100 mijë objekte të cilat ne do të vazhdojmë t’i mbajmë. Sepse janë njerëz dhe nëse u thua që nuk do të bëhet, ia hodhe palës tjetër. U ra dakord në këtë takim (me kryeministrin) që logjika është që ne do të vazhdojmë të mbajmë situatën varur për këtë pjesë... Edhe Millosheviçi t’i thojë që ua legalizoj unë, ai bëhet me Millosheviçin...”, dëgjohet të thotë Lame. (A2 Televizion)