
Rinia mund të identifikohet si një grup vulnerabël që përballet me sfida të mëdha, si rreziku i varfërisë, papunësia e lartë afatgjatë, ndërsa pjesëmarrja ekonomike e tyre është ende dukshëm nën mesataren e BE-së.
Është ky përkufizimi që Ministria e Financave dhe Ekonomisë bën për rininë në Shqipëri, në draftin e reformave që synohet të ndërmerren në harkun e viteve 2022-2024.
Në dokument dilet në përfundimin se pandemia ka përkeqësuar edhe më tej situatën. Për këtë arsye, qeveria lë si detyrë ndaj institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin politika të menjëhershme, duke u fokusuar posaçërisht tek të rinjtë që nuk janë të punësuar.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në draft dikton gjithashtu edhe nevojën inventarizimit të tregut të punës.
Norma e papunësisë, sipas INSTAT, në Shqipëri është rreth 28%, vlerë kjo sa dyfishi i mesatares së Bashkimit Europian. Të dhënat tregojnë gjithashtu se të sapodiplomuarit kanë një normë të lartë mungese punësimi. Kjo bën që shume prej tyre të shohin emigrimin si mënyrë për të jetuar dhe rritur mirëqenien e tyre. (A2 Televizion)