
Policia greke ka arrestuar një 17-vjeçar shqiptar, të identifikuar si Arbër Muçaj, i cili akuzohet se ka dashur të vrasë një 18-vjeçar një ditë më parë në afërsi të Akropolit në Athinë.
Sipas policisë greke, Muçaj së bashku me 17-vjeçarin grek Nikolas Kolias, i cili u arrestua pak pas ngjarjes, tentuan të grabisin nën kërcënimin e thikave, një grup të rinjsh që po rrinin në një stol pranë monumentit të lashtësisë helene, Akropolit.
Pasi i kanë grabitur telefonat dhe sendet me vlerë të rinjve, dy autorët tentuan të largohen, por një 18-vjeçar Jorgo Akrivo, tentoi t’i ndalojë.
Dy autorët u përballën me 18-vjeçarin dhe si rezultat e plagosën me thikë. Ai mori 4 thika në qafë dhe në bark dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Autoritetet po kërkojnë edhe persona të tjerë të përfshirë në grabitje.
Autorët po merren në pyetje për të parë nëse janë përfshirë në akte të tjera të ngjashme, ndërsa do të dërgohen në gjykatë për masën e sigurisë.
Kriminaliteti në Greqi është shumë i përhapur tek adoleshentët 16-18 vjeç, por deri tani ka qenë i kufizuar brenda ose pranë ambienteve të shkollave dhe rrallë në zonat turistike të vendit. (A2 Televizion)