Rezistencë ndaj policisë. Ndërhyn RENEA, e plagosin në këmbë 45-vjeçarin në Elbasan

Nga A2 CNN
25 Dhjetor 2020, 09:05 | Kronikë
Rezistencë ndaj policisë. Ndërhyn RENEA, e plagosin në

Ka rezistuar mbi 15 orë ndaj policisë dhe në fund është kapur i plagosur. Josif Kavaja, 45 vjeç, nga fshati Selte i Elbasanit, pasi ka terrorizuar banorët e zonës, ka bërë luftë edhe me policinë.

Kjo e fundit u lajmërua pasditen e së enjtes nga banorët se Josifi qëllonte me breshëri automatiku në ajër. Në momentin kur policia është afruar në banesën e tij, 45-vjeçari ka filluar të qëllojë në drejtim të policisë. Në këto kushte, policia zgjeroi perimetrin e sigurisë dhe priti mbërritjen e forcave RENEA, të cilat nisën negociatat me 45-vjeçarin.

Por, ky i fundit, në kushte ende të paqarta, i është kundërpërgjigjur me armë, duke u futur në pyllin që ishte pranë banesës. Për orë të tëra, forcat RENEA kanë vazhduar ndjekjen në pyll në kushtet e errësirës totale dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit, 45-vjeçari është plagosur në këmbë, në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje.

Pas plagosjes, Josif Kavaja është dorëzuar, ndërsa policia e ka transportuar në Spitalin e Elbasanit, ku po merr mjekimin e duhur.

Nga të dhënat e para, mësohet se 45-vjeçari qëllonte shpesh me armë në ajër. Ai jetonte i vetëm në fshatin malor dhe dyshohet se kalonte shpesh kriza depresioni.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos